Polici 56-vjeçar në Përmet dyshohet se ka kryer marrëdhënie intime me një 16-vjeçare

Polici 56-vjeçar në Përmet dyshohet se ka kryer marrëdhënie intime me një 16-vjeçare

Kronika September 18, 2025 - 12:04

Një rast i ndjeshëm që përfshin një polic në Përmet është bërë objekt hetimi nga autoritetet përkatëse, pas publikimit të një denoncimi në rrjetet sociale.

Sipas informacioneve të Euronews Albania, një punonjës policie, 56-vjeçari me inicialet A. A., dyshohet se ka pasur një marrëdhënie intime me një vajzë 16-vjeçare nga Këlcyra, me inicialet S. K.

Denoncimi fillestar është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili ka sjellë më pas reagimin e menjëhershëm të strukturave hetimore. Hetimet janë marrë në dorë nga Drejtoria Vendore e Policisë në Gjirokastër në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), për shkak të përfshirjes së një punonjësi të forcave të rendit në këtë ngjarje.

Burime jozyrtare të Euronews.al, bëjnë me dije se rasti lidhet me qarkullimin virtual të disa videove me përmbajtje intime, të cilat mendohet se janë shpërndarë mes disa të rinjve, shokë të vajzës së përfshirë. Dyshohet gjithashtu se disa prej këtyre të rinjve kanë tentuar të shantazhojnë efektivin e policisë, duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të materialeve.

Sipas të njëjtave burime, deri në këtë fazë të hetimit janë shoqëruar shtatë persona, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur tërësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të secilit individ të përfshirë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po ndjek nga afër rastin, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet lidhur me zhvillimet e mëtejshme.