
38-vjeçarin në Ferizaj dyshohet se e vrau kushëriri, i cili më pas njoftoi Policinë vetë
Një 38-vjeçar është vrarë mbrëmë nga kushëriri i tij në fshatin Balaj të Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, deri te vrasja ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje që kishin kushërinjtë mes vete, raporton Zeri.info.
Po ashtu Policia njofton se viktima është vrarë me katër plumba dhe se i dyshuari pas kryerjes së veprës penale e ka thirrur vetë Policinë.
“Sipas hetimeve fillestare, vrasja ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes të dyshuarit dhe viktimës, të cilët ishin në lidhje gjaku (kushërinj). Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën. Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
“Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë gjahu me 72 fishekë, një pushkë ajrore”, njofton Policia.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Vrasja në Ferizaj,
Më datën 15.09.2025, rreth orës 19:42, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në fshatin Balaj të Ferizajt ka ndodhur një rast i vrasjes.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e stacionit policor të Ferizajt, Njësiti i Reagimit të Shpejtë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, si dhe krimteknikët. Po ashtu, në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit dhe nën autorizimin e tij kanë nisur hetimet.
Nga hetuesit dhe krimteknikët është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërsa edhe i trupit të viktimës, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar edhe :
- Një pushkë gjahu me 72 fishekë;
- Një pushkë ajrore.
Sipas hetimeve fillestare, vrasja ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes të dyshuarit dhe viktimës, të cilët ishin në lidhje gjaku (kushërinj). Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën.
Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës I.R. (M/K), i lindur në vitin 1987, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ndërsa i dyshuari B.R. (M/K), i lindur në vitin 1974, është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore. /Zëri