Dallaveret me patenta të shoferëve, Prokuroria ndalon tre persona
Foto: Laura Hasani

Dallaveret me patenta të shoferëve, Prokuroria ndalon tre persona

Kronika September 15, 2025 - 14:22

Tre persona janë ndaluar sot për veprën “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se sot, më datë 15.09.2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndalur për 48 orë tre persona të dyshuar me inicialet A.F. dhe G.M. nga autoshkolla “Stop” dhe i dyshuari me inicialet M.Th. nga Kryqi i Kuq i Kosovës, Dega në Fushë-Kosovë, ndërsa e dyshuara me inicialet A.A. nga Kryqi i Kuq i Kosovës, Dega në Fushë-Kosovë, është liruar në procedurë të rregullt.

“Ky arrestim është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë dhe është vazhdimësi e rastit, ku paraprakisht, ishin arrestuar një Instruktor i kësaj Autoshkolle dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Personat dyshohet se e kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’, nga Neni 427 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave penale, si dhe dërgimin e para Gjykatës të secilit kryerës të veprave penale.