Policia e Ferizajt kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy të dyshuarve
Foto: Policia e Kosovës

Policia e Ferizajt kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy të dyshuarve

Kronika September 11, 2025 - 12:07

Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe kapjen e dy personave të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”, të kryer më 25 korrik 2024, rreth orës 12:00, në fshatin Jezerc të Ferizajt.

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Policia ka publikuar fotografitë e të dyshuarve, të cilët deri më tani nuk janë identifikuar, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Policia Rajonale e Ferizajt, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personave të dyshuar.

Dyshohet se më datën 25.07.2024, rreth orës 12:00, në fshatin Jezerc – Ferizaj, personat e dyshuar kanë kryer veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.

Deri më tani të dyshuarit nuk janë identifikuar. Prandaj, Policia Rajonale e Ferizajt kërkon ndihmën e qytetarëve që kushdo që ka informacione rreth identitetit ose vendndodhjes së tyre, të njoftojë: stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, ose në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.