
Dyshime për armë ilegale në veri, Policia aksion në pesë lokacione
Policia në Rajonin Veriore ka kryer kontroll në pesë lokacione mbi dyshimin për armëmbajtje pa leje.
Në njoftim thuhet se sot, zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, kanë pranuar informacion se në disa lokacione mund të gjendeshin armë.
Policia ka ndërmarr veprime të menjëhershme duke bastisur pesë shtëpi private, derisa ka bërë të ditur se nuk ka të arrestuar.
Detajet nga policia, për pesë lokacionet e bastisura:
Rasti I: Në një shtëpi banimi në Soqanicë, Komuna Leposaviq Policia ka hasur në dy armë të cilat ishin në proces të legalizimit. Pronari i tyre kishte pasur leje për posedim të armëve nga UNMIK-u ndërsa tani kishte aplikuar për vazhdim të lejeve tek institucionet kompetente.
Rasti II: Në një shtëpi banimi në Ibarska Sllatin, Komuna Leposaviq është kontrolluar shtëpia dhe nga pronari Policia është informuar se ai e ka pasur një armë gjuetie me leje të UNMIK-ut të cilën e kishte shitur në vitin 2006, duke i respektuar procedurat ligjore mbi shitjen.
Rasti III: Në një shtëpi banimi në lagjen Korile Komuna Zveqan, është kontrolluar një shtëpi dhe nga pronari Policia është informuar se dy armët të cilat i kishte me leje të UNMIK-ut i kishte dërguar në Serbi. Në shtëpi është gjetur një sasi e vogël e municionit të cilat janë sekuestruar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti IV: Në një shtëpi banimi në fshatin Okllaqe Zubin Potok është kontrolluar shtëpia ku nuk është hasur në diçka të dyshimtë, është kontaktuar pronari nëpërmes telefonit i cili ka thënë se armën të cilën e kishte me leje te UNMIK-ut të skaduar, do ta sjell nesër stacionin Policor.
Rasti V: Në një shtëpi banimi në fshatin Uglar Zubin Potiok është kontrolluar shtëpia ku është gjetur një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK-ut e cila është sekuestruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.