
125 mijë euro dëm, Specialja ngre aktakuzë për keqpërdorime ndaj Mujkës dhe Muzliukajt
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës - kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” dhe ndaj Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, të cilët ngarkohen për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”. Mujka akuzohet edhe për “Mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë”.
Mujka dhe Muzliukaj ngarkohen se duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shumën prej mbi 125 mijë eurove.
“Të pandehurit akuzohen se F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe H.M., si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhet në njoftim.
Mujka akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
“Në kuadër të aktakuzës, PSRK-ja ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M.”, thuhet në njoftim.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar ta kontaktojë Mujkën, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Ndryshe, më 14 korrik 2023 “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, nën dyshimin për korrupsion.
Muzliukaj kishte qenë këshilltar i ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Ai është liruar nga detyra zyrtare pas arrestimit nën dyshimin për korrupsion.