
Zbulohen mallra të falsifikuara në pikën kufitare të Hanit të Elezit
Gjatë një kontrolli të zakonshëm në pikën kufitare të Hanit të Elezit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një veturë që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi, gjatë kontrollit në veturë janë zbuluar mallra të ndryshme, kryesisht artikuj tekstili dhe parfume, për të cilat ekzistonte dyshimi se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
“Rasti është proceduar për trajtim nga Njësia për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale (DPI), ku pas verifikimit është konstatuar se mallrat në fjalë janë të falsifikuara dhe si të tilla përbëjnë shkelje të Ligjit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në vend. Në përputhje me procedurat ligjore, mallrat janë konfiskuar dhe ndaj personit të përfshirë janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.