Policia jep detaje për vrasjen në Llapashticë të Podujevës, autori ende në arrati
Foto: Zëri / Ilustrim

Policia jep detaje për vrasjen në Llapashticë të Podujevës, autori ende në arrati

Kronika September 07, 2025 - 15:38

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth një vrasjeje që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Llapashticë e Epërme të komunës së Podujevës.

Sipas raportit zyrtar, rreth orës 19:36 të datës 6 shtator një person është gjetur pa shenja jete brenda një veture, ndërsa dyshohet se është vrarë nga një person tjetër, i cili ndodhet në arrati.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, në rrethana ende të panjohura, dyshohet se ka vrarë në veturë viktimën mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Prokurori i rastit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë,

Deri në këto momente, motivet e vrasjes mbeten të paqarta ndërkohë që policia është në kërkim të autorit të dyshuar.

Viktima raportohet të jetë Bashkim Spahiu, kurse personi i dyshuar i cili ka kryer veprën penale ‘’Vrasje” bazuar nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dyshohet të jetë Arbër Havolli.

Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje: 

Llapashticë e epërme, Podujevë / 06.09.2025 – 19:36. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, në rrethana ende të pa njohura dyshohet se ka vrarë në veturë viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore. /Zëri