
Dyshohen për vjedhje, kapet nëna 67-vjeçare – policia në kërkim të djalit
Policia shqiptare ka njoftuar se e ka prangosur një 67 vjeçare nën dyshimet se e njëjta bashkë me djalin e saj dyshohen për vjedhje nëpër banesa, lokale dhe objekte kulti.
Lidhur me këtë rast, forcat e rendit kanë dokumentuar 6 raste vjedhjesh të kryera në qytetin e Memaliajt dhe Përmetit gjatë muajve maj–shtator.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, si rezultat i punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe puna në terren, ndaluan shtetasen Z. U., 67 vjeçe, banues në Belsh”.
“Gjithashtu, u shpall në kërkim djali i saj, shtetasi L. U., 36 vjeç, banues në Belsh.Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, studionin vendet dhe banesat që vidhnin dhe vepronin në orët e vona të natës. Duke përdorur sende si kaçavidë dhe levë, ata kanë kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Memaliajt dhe Përmetit”, njofton Policia e Shtetit, transmeton Klankosova.tv.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 celular dhe sendet që përdornin për të kryer vjedhjet (levë dhe kaçavidë).
Bëhet e ditur se policia është duke punuar për kapjen e 36-vjeçarit. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.