
Dy policët e suspenduar pas vrasjes së Muhamed Likës rikthehen në detyrë
Dy zyrtarët policorë, Jalldëze Krasniqi dhe Jaser Jaha, të cilët ishin suspenduar pas vrasjes së policit Muhamed Lika, janë rikthyer në vendet e tyre të punës.
Kthimin e tyre në detyrë e ka konfirmuar avokati i dy policëve, i cili tha se punën e kanë rifilluar një ditë më parë.
Sipas tij, pas hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është dërguar një raport në prokurori, ku konstatohet se nuk ka elemente të veprës penale që do t’i ngarkonin dy zyrtarët. Për këtë arsye, ata janë rikthyer në të njëjtat pozita ku kanë shërbyer para suspendimit.
Krasniqi dhe Jaha ishin pezulluar me rekomandim të IPK-së, pasi dyshohej se nuk kishin zbatuar urdhrin për arrestimin e të dyshuarit kryesor në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika. /dukagjini