Aktakuzë ndaj KEDS-it dhe tre punëtorëve të kësaj kompanie për vdekjen e punëtorit nga energjia elektrike
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj KEDS-it dhe tre punëtorëve të kësaj kompanie për vdekjen e punëtorit nga energjia elektrike

Kronika September 03, 2025 - 15:03

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër personit juridik Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike SHA dhe ndaj të pandehurve A.Z., G.N. dhe A.N., për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. KEDS-i dhe tre punëtorët ngarkohen lidhur me rastin e vdekjes së punëtorit V.P., më 2023, nga energjia elektrike.

Sipas Prokurorisë, KEDS-i ngarkohet se nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore, duke rrezikuar jetën e njerëzve. Në njoftim thuhet se tani i ndjeri V.P., duke punuar për t’i eliminuar defektet në rrjetin elektrik, si pasojë e kushteve të rrezikshme në vendin e punës, ra në kontakt me rrymën dhe vdiq në vendin e ngjarjes.

“Sipas aktakuzës, me datë 4 shkurt të vitit 2023, në fshatin Levoshë të komunës se Pejës, i pandehuri si person juridik “Kompani Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike” SHA, në cilësinë e përgjegjësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nga pakujdesia, nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore, ka rrezikuar jetën e njerëzve në atë mënyrë, që i pandehuri në cilësi të pronarit të personit juridik edhe pse ka qenë i detyruar të zbatoj masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, konkretisht në sigurimin e kushteve të sigurta për punë, nuk ka krijuar kushte të sigurta dhe të shëndetshme të punës për parandalimin e rreziqeve, nën rrjetin largpërçuesve-sipërfaqes mbi të cilën shtrihet rrjeti për të krijuar siguri gjatë ndërhyrjes në linje dhe nuk ka zbatuar organizimin e procesit të punës tek kyçja e rrymës në rrjetë nga ekipi i ndërhyrjes pa i respektuar procedurat në fuqi të parapara me vlerësim të riskut, ashtu që, ditën kritike deri sa i dëmtuari tashmë i ndjeri V.P., punëtor mirëmbajtës i rrjetit gjatë procesit të punës, duke punuar për t’i eliminuar defektet ne rrjetin elektrik “Dalja 10 KV-Maja e Zezë në Pejë” në një moment si pasojë e kushteve të rrezikshme në vendin e punës vije deri te kontakti me rrymën dhe si pasojë vdes në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Kurse, A.Z., në cilësinë e udhëheqësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, ngarkohet se nuk veproi në pajtim me dispozitat ligjore, derisa pa i siguruar se viktima nuk ishte në kontakt me rrjetin elektrik, kontakton Qendrën Komunikuese në Pejë dhe iu kërkon të lëshohet rryma, ku për pasojë vdes në vendngjarje punëtori V.P.

“Kurse, i pandehuri A.Z, në cilësinë e udhëheqësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nga pakujdesia, nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore dhe në cilësi të përgjegjësit për komunikim me dispeçerin në Qendrën Komunikuese në Pejë, derisa viktima pjesë e ekipit me të pandehurin dhe punëtorin I.Sh. ishte duke e kontrolluar rrjetin e energjisë elektrike , i pandehuri, pa u siguruar se viktima nuk ishte në kontakt me rrjetin elektrik, përmes numrit të tij të telefonit, kontakton Qendrën Komunikuese në Pejë, duke i kërkuar që në linjën e lartcekur të lëshohet rryma, dhe në bazë të kërkesës së tij, nga baza lëshohet rryma, ku si pasojë e kësaj viktima V.P., vjen deri te kontakti me rrymën dhe si pasojë vdes në vendin e ngjarjes”, njofton Prokuroria.

Më tej, thuhet se A.N., në cilësinë e koordinatorit të rrjetitdhe G.N., si ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, duke mos i respektuar rregullat e lartcekura kanë vënë në rrezik jetën e punëtorëve të KEDS-it, ku për pasojë vidq V.P.

“Ndërsa i pandehuri, A.N. në cilësinë e koordinatorit të rrjetit (udhëheqës në detyrë) përgjegjës për sigurinë në vendin e punës, bashkë me të pandehuri G.N., cilësinë e ekspert të sigurisë dhe shëndetit ne punë, nga pakujdesia, edhe pse kanë qenë të detyruar të zbatojë masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, të zbatoj masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, duke mos i respektuar rregullat e lartcekura kanë vënë në rrezik jetë e punëtorëve të KEDS-it, ku si pasojë ka humbur jetën viktima V.P., punëtor i kësaj kompanie”, njofton Prokuroria.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale, e cila u vihet në barrë.