Dosja ndaj Metës, caktohet gjyqtarja e seancës paraprake në GJKKO
Foto: Laura Hasani

Dosja ndaj Metës, caktohet gjyqtarja e seancës paraprake në GJKKO

Kronika September 03, 2025 - 11:09

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në Shqipëri ka caktuar gjyqtaren Irena Gjoka për të shqyrtuar në seancën paraprake çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Shorti elektronik i hedhur në GJKKO ka përcaktuar që dosja të shqyrtohet nga gjyqtarja Gjoka, e cila do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim ose jo.

Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nën akuzat për “Korrupsion”, “Pastrim parash”, si dhe “Mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Sipas SPAK-ut, Meta dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në disa veprime të dyshuara penale “në bashkëpunim me funksionarë të tjerë publikë”. Hetimet ndaj tij nisën që në vitin 2019, në kuadër të aferës së njohur si ÇEZ-DIA, ndërsa më vonë janë zgjeruar me një tjetër kallëzim që lidhet me lobimin në Shtetet e Bashkuara, përmes pagesave të padeklaruara me vlera të konsiderueshme në euro.

Kujtojmë se Irena Gjoka ishte dhe gjyqtarja e çështjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka akuzuar gjyqtaren për fshehje të dënimit në Greqi. /euronews