
Detaje nga bastisjet në Leposaviq dhe Zveçan, arrestohen dy persona
Policia e Kosovë,s përmes njoftimit, ka dhënë detaje të reja rreth bastisjeve të djeshme në veri të vendit, konkretisht në Zveçan dhe Leposaviq.
Sipas njoftimit të PK-së, në rastin e parë në Leposaviq policia ka arrestuar një person të dyshuar, pasi njësitet policore gjatë patrullimit kanë vërejtur se në një lokal-pronë e të dyshuarit janë duke u shitur bluza me mbishkrime nacionaliste me përmbajtje të veprës penale ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, etiketa të ndryshme, elektroshok dhe sprej OC.
Në konsultim me prokurorin, njësitet policore kanë kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.
Në një tjetër rast po ashtu në Leposaviq policia ka arrestuar edhe një person për shkak se njësitë relevante policore, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, kanë gjetur dhe kanë konfiskuar: një pushkë automatike AK-47 me 47 copë fishekë, një pushkë gjuetie, një pistoletë me dy karikatorë dhe pesë fishekë dhe një karikator të zbrazët.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Kurse në Zveçan gjatë patrullimit njësitë policore (NJNSH) në pyll në një gyp të kanalizimit kanë vërejtur-gjetur: dy pushkë gjuetie, një armë të gjatë gjysmautomatike, 43 copë fishekë, një rrip për fishekë dhe një kuletë të armës.
Njësitë relevante policore dhe Njësiti për çminim kanë dalë në vendin e ngjarjes. Armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa rasti në procedurë hetimore.