
Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për marrje ryshfeti në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit me inicialet K.V. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet K.V., më datë 25.08.2025 në Gjakovë, në cilësi të personit zyrtar - zyrtar për regjistrim të bizneseve në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit për vete në mënyrë të drejtpërdrejtë i kërkon të holla të dëmtuarit E.C. për rregullimin e dokumenteve të regjistrimit të biznesit, pasi i dëmtuari kishte aplikuar për hapjen e biznesit të tij, ashtu që më datë 01.09.2025, gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për masat e veçanta hetimore është arrestuar në flagrancë i pandehuri, pasi ka pranuar shumën e të hollave prej 30 eurove”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Bëhet e ditur se me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga Neni 421, par. 1 i KPRK-së.
“I pandehuri që nga data 1 shtator 2025, me vendim të prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim. /Zëri