Kroacia dërgon në paraburgim dy të arrestuarit për spiunazh

Kroacia dërgon në paraburgim dy të arrestuarit për spiunazh

Kronika August 28, 2025 - 18:05

Kroacia ka shqiptuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh për Serbinë, teksa autoritetet në Kosovë thanë se janë të gatshme të bashkëpunojnë për këtë rast, pasi "veprimtaria e të arrestuarve është zhvilluar në Kosovë".

Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi më 28 gusht se pas pranimit të kallëzimit penal nga Sektori i Pavarur për çështje të policisë ushtarake një ditë me herët, ka ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve kundër një shtetasi të Republikës së Kroacisë (i lindur më 1971) për veprën penale të spiunazhit, dhe kundër një shtetaseje të Republikës së Serbisë (e lindur më 1979) për të njëjtën vepër penale.

Po ashtu, “me vendim të Prokurorisë së Qarkut në Split është caktuar fshehtësia e tërë e hetimit, me arsyetimin se publikimi i të dhënave nga procedura mund të dëmtojë zhvillimin e hetimeve”.

Sipas medias kroate, Index, piloti korat J.I. dhe e dashura e tij, A.M. serbe nga Mitrovica e Veriut dyshohen se kanë spiunuar për Serbinë. Është raportuar se ajo kishte punuar në Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit, EULEX.

Sipas Index-it, që u thirr në burime, dyshohet se piloti kroat, i angazhuar në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe.

Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar gjyqtarit të hetimeve të Gjykatës së Qarkut në Split caktimin e paraburgimit për të pandehurin e parë, për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët dhe të përsëritjes së veprës penale, ndërsa për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.

“Gjyqtari i hetimeve e ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar paraburgim për të pandehurin e parë për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Qarkut në Split.

“Megjithatë, për të dy të pandehurit është refuzuar propozimi për paraburgim lidhur me rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Prokuroria e Qarkut në Split ka njoftuar se do të parashtrojë ankesë kundër pjesës së vendimit me të cilën është refuzuar kërkesa e saj”./Radio Evropa e Lire