Prangoset 22-vjeçari, po transportonte kallashnikovë nga Burreli në Tiranë

Prangoset 22-vjeçari, po transportonte kallashnikovë nga Burreli në Tiranë

Kronika August 27, 2025 - 13:52

Një 22-vjeçar është kapur nga policia në flagrancë, duke transportuar dy armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale.

Policia shqiptare ka njoftuar se janë sekuestruar dy armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar ‘Tuneli’, gjatë të cilit u arrestua shtetasi: A. D., 22 vjeç, banues në Burrel”.

“Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, dy armë zjarri kallashnikov dhe katër krehra për to”.

“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’”, thuhet në njoftimin e Policisë atje.