Aktakuzë ndaj katër personave për trafikim me njerëz e vepra të tjera penale
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj katër personave për trafikim me njerëz e vepra të tjera penale

Kronika August 26, 2025 - 14:01

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave: F.C., B.B., L.J. dhe E.L., për disa vepra penale.

Sipas Prokurorisë, F.C. dhe B.B. akuzohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprën penale “Trafikim me njerëz”.

Po ashtu, sipas njoftimit, thuhet se B.B. akuzohet edhe për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Të pandehurit F.C. dhe B.B. akuzohen se nga viti 2019 deri më 29 korrik 2024, duke vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, së bashku me persona të tjerë, me dashje dhe me qëllim përfitimi financiar, kanë organizuar, rekrutuar, transportuar, transferuar dhe strehuar gra dhe vajza nga Amerika Latine dhe shtete të tjera në Republikën e Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes kanosjes, përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, viktimat janë detyruar të ofrojnë shërbime seksuale me pagesë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, të pandehurit L.J. dhe E.L. akuzohen për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Grabitja”.

“Sipas aktakuzës, L.J. dhe E.L më 29 korrik 2024, me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve seksuale me pagesë, përmes përdorimit të forcës dhe kanosjes, i kanë sulmuar viktimat e trafikimit dhe u kanë përvetësuar një shumë të parave në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe ndaj tyre të shqiptohen dënime konform ligjeve në fuqi.