Nga 30 ditë paraburgim për tre gjilanasit, që u kapën duke kultivuar kanabis

Nga 30 ditë paraburgim për tre gjilanasit, që u kapën duke kultivuar kanabis

Kronika August 26, 2025 - 09:48

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve A.S., R.A. dhe R.Z.

Gjykata njofton se më 23.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Vërbicë e Zhegovcit të komunës së Gjilanit, të pandehurit pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit, në atë mënyrë që pasi zyrtarët policorë në Gjilan marrin informacion se në këtë fshat mund të ketë të mbjella bimë narkotike të llojit “Kanabis Sativa” shkojnë te shtëpia e të pandehurit A.S., me ç’rast me rastin e kontrollit në oborrin e shtëpisë, në brendësi të serave të ndërtuara, gjejnë të kultivuara 496 bimë të këtij lloji, me gjatësi 2 metra, në këtë mënyrë të pandehurit me qëllim të prodhimit të narkotikëve, pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit.

“Të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kultivimi i bimës së Hashashit shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit, nga Neni 272, paragrafi 1 dhe 31 të KPRK-së dhe të pandehurit A. S. për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga Neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së”.

“Në rastin konkret është plotësuar kushti ligjor për të pandehurin R. A. nga Neni 184, paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së, ngase në momentin kur e ka kuptuar se zyrtarët policorë kanë arritur në vendngjarje, i njëjti ka tentuar të ikë, por i njëjti arrestohet, gjithashtu të njëjtit po të lihen në liri, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në njëri-tjetrin”.

“Po ashtu, duke marr parasysh rrethanat se ndaj të pandehurve evidentohen disa raste për vepra tjera penale, rrethanat këto të mjaftueshme për të besuar se nëse të pandehurit lihen në liri të njëjtit mund të përsërisin veprën penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Po ashtu thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve dhe duke i marr për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit. /Zëri