
Dyshohet se dhunoi të dashurën e tij në Fushë-Kosovë, detaje nga arrestimi i 31-vjeçarit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, pas një angazhimi intensiv hetimor dhe operacional, ka arritur të identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë një person të dyshuar për kryerjen e disa veprave të rënda penale.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, rasti dyshohet të ketë ndodhur në Fushë-Kosovë, me ç’rast dyshimet janë ngritur për ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike që i dyshuari dyshohet të ketë ushtruar ndaj të dashurës së tij, duke mos përjashtuar edhe dyshimet e ngritura për kryerje të veprës penale të “Dhunimit”.
“Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike të dyshuara si kokainë, një armë zjarri me municion, si dhe mjete të tjera të kundërligjshme. I dyshuari, L.H., mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale: ‘Dhunimi’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’, si dhe ‘Posedim i paautorizuar i substancave narkotike’”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, siç thuhet në njoftim, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe integritetit të çdo qytetari dhe ndjekjen me rigorozitet të çdo akti të kundërligjshëm.