Në Jarinjë, në autobusin e linjës Mitrovicë – Beograd zbulohen 18 migrantë të paligjshëm
Foto: Laura Hasani

Në Jarinjë, në autobusin e linjës Mitrovicë – Beograd zbulohen 18 migrantë të paligjshëm

Kronika August 25, 2025 - 09:15

18 migrantë të paligjshëm janë zbuluar nga Policia e Kosovës në autobusin e linjës Mitrovicë - Beograd në pikën kufitare të Jarinjës, shkruan Zeri.info.

Siç bën të ditur Policia e Kosovës, pesë ishin palestinezë, shtatë persona ishin nga Bangladeshi dhe shtatë nga Egjipti, të cilët kishin hyrë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe përmes Shqipërisë.

Policia bën të ditur se qëllimi i këtyre migrantëve të paligjshëm ishte që të shkonin në Serbi dhe më pas drejt vendeve evropiane.

“Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës. Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Tentim kontrabande me migrantë të paligjshëm, parandalohet nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), Departamenti i Kufirit, më datë 24.08.2025, ka ndërmarrë një veprim të suksesshëm operativ në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë–Serbi (Jarinjë), ku është ndaluar një autobus me targa (NP), i linjës Mitrovicë - Beograd.

Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës.

Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme.

Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se:

· 5 shtetas palestinezë kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23.08.2025.

· 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova.

· 7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Te dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje.

Viktimat janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër migrimit të paligjshëm, kontrabandës me njerëz dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues. /Zëri