
Nga janari deri në korrik, 11 raste të vetëvrasjes në Kosovë
Në vetëm shtatë muajt e parë të këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar 11 raste të vetëvrasjes në Kosovë. Psikologët thonë se shkaqet janë të ndryshme. Ndërsa nga organizata “Linja e Jetës” theksojnë se institucionet nuk po bëjnë mjaftueshëm në këtë drejtim.
Çdo ditë ky telefon bie në qendrën për parandalimin e vetëvrasjes “Linja e Jetës”.
Vullnetarët këtu angazhohen që t’i sigurojnë personat që thirrin se nuk janë vetëm në shqetësimet dhe brengat e tyre.
Mirëpo, nga kjo Organizatë thonë që nuk po bëhet mjaftueshëm nga shteti për këtë kauzë.
“Absolutisht në as një nivel si ligjor si politik nuk ka ndonjë hap që është ndërmarr për parandalimin e vetëvrasjes. Rrjedhimisht këto rezultatet nuk kemi na drejt me u çudit, nuk kemi drejt me u befasu se çka po ndodh për shkak se nuk ka iniciativa që janë ndërmarr. E vetmja iniciativë politike që është ndërmarr deri tash është ardh prej “Linjes së Jetës” në koordinim me shoqërinë civile. Ku e kemi dërgu një peticion për parandalim të vetëvrasjes që po pret kuvendi me u formu për me u hartu ligji”, thotë Bind Skeja nga organizata “Linja e Jetës”.
E nga janari e deri në korrik të këtij viti janë shënuar 11 raste të vetëvrasjes në Kosovë.
Një vit më parë numri i tyre kishte qenë 19.
Shkaqet që shtyjnë individin drejt vetëvrasjes janë të ndryshme.
E disa prej tyre i ka sqaruar për Tëvë1 psikologu Rron Krastrati.
“Shkaqet e shpeshta që një person mundet të rrëmbehet nga idetë suicite apo idetë vetëvrasje janë faktorët socio-ekonomik, gjendjet e rënduara psikologjike dhe episodet e shpeshta depresive apo çrregullimet depresive dhe psikotike. Të rinjtë sot mund të ballafaqohen nga kjo dukuri në raste më të shpeshta kur kombinohen faktorët. Edhe faktorët me abuzimin me substanca narkotike, psikotrobe, analoge e që kanë përjetuar dhunë dhe jetojnë në një mjedis toksik, ku dhuna është kryefjala”, thotë ai.
Sipas tij, prindërit duhet të tregojnë kujdes ndaj këtyre shenjave.
“Heshtja, izolimi, komunikimi i reduktuar, mbi përdorimi i tepruar i telefonit, episodet e shpeshta të ankthit kur është në kontakt me telefonin, daljet e shpeshta nga shtëpia orar pa orar, kthimi vonë në shtëpi këto mund të jenë karakteristika apo elemente të dyshimta që prindi duhet do mos do të ndërmarr masa për të hulumtuar apo hetuar veprimtarinë e fëmijës në raport me mjedisin dhe komunitetin e shoqërinë”, shprehet psikologu Kastrati.
Njohësit vlerësojnë që çështjet lidhur me shëndetin mendor duhet të të trajtohen me prioritet, duke siguruar kështu mbrojtje të shëndetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.