
Arrestohet 40-vjeçari nga Lezha, kërkohet nga Spanja për krim të organizuar dhe kultivim droge
Një 40-vjeçar i lindur në Lezhë është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi ishte në kërkim nga autoritetet e Spanjës për të vuajtur një dënim me burg. Në njoftimin e policisë thuhet se i arrestuari do të ekstradohet në Spanjë.
Sipas komunikatës, arrestimi u realizua pas një koordinimi të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët spanjollë përmes INTERPOL-it.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 58″, lokalizuan dhe kapën shtetasin Gj. Gj., alias Gj. M., alias Gj. R., 40 vjeç, i cili ishte nën hetim nga autoritetet spanjolle”, thuhet në njoftim.
Në vitin 2025, Gjykata e Instruksionit nr. 1 Castellon de la Plana në Spanjë ka caktuar masën “Arrest në burg” për këtë shtetas shqiptar, për veprat penale “Krime kundër shëndetit publik” (kultivim i bimëve narkotike), “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.
Sipas hetimeve, ai ishte pjesë e një grupi kriminal, ku anëtarët kishin funksione të ndara, duke filluar nga gjetja dhe marrja me qira e ambienteve, përshtatja e tyre për kultivim droge dhe montimi i pajisjeve të nevojshme për këtë aktivitet. Gjatë operacionit në Spanjë janë zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivim droge, një në Oropesa dhe një në Cabanes.
Interpol Tirana është në bashkëpunim me Interpol Madridin për të finalizuar procesin e ekstradimit të këtij shtetasi.