58 të vdekur në 51 aksidente nga janari deri në korrik, policia s’ka ende statistika për gushtin me shumë viktima
Foto: Laura Hasani

58 të vdekur në 51 aksidente nga janari deri në korrik, policia s’ka ende statistika për gushtin me shumë viktima

Kronika August 22, 2025 - 19:28

Gjatë 7 muajve të parë të vitit 2025 janë raportuar mbi 4 mijë aksidente, por me fatalitet ishin 51 sosh ku mbetën të vdekur 58 persona. Ndërsa në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar kishin vdekur 52 persona në aksidente.

Policia e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar mbi 448 mijë gjoba.

Policia thotë se kanë hartuar dhe janë zbatuar disa urdhra operativë për të ofruar siguri.

“Për të ofruar siguri dhe kontroll më efikas në trafik, Policia e Kosovës ka hartuar dhe janë duke u zbatuar disa Urdhrat Operativ  si “Siguria në Trafikun Rrugor” dhe “Sezoni Veror 2025”,  dhe plane të tjera që kanë të bëjnë me mjete me dy rrota. Po ashtu janë realizuar fushata të ndryshme, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve. Kanë vazhduar patrullimet me veturave me pajisje inteligjente “Smart Patrol” dhe radarë mobilë me që rast aktivitetet policore kanë qenë të shtuara më shumë se 9% krahasuar me periudhën krahasuese 2024.”

Policia nuk i është përgjigjur kërkesës për numrin e aksidenteve për 20 ditët e para të gushtit, mirëpo edhe ditëve të fundit ka pasur aksidente të shumta, disa prej të cilave kanë përfunduar me fatalitet.

Të premtën rreth orës 5 të mëngjesit në një vetëaksident ka vdekur një person ndërsa mëngjesin e djeshëm në Dollc të Klinës një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një askidente mes veturës dhe autobusit.

Ndërsa më 18 gusht në Llapushnik, pas një aksidenti mes dy veturave kanë vdekur dy persona dhe një është lënduar.

Më 16 gusht shoferi i një motoçiklete ka vdekur në Devë të Gjakovës pasi është aksidentuar me një veturë me targa të huaja.

Më 15 gusht në rrugën “Adrian Krasniqi” në Pejë, një kamion ka goditur karrocën për persona me aftësi të kufizuara dhe shoferi i saj ka vdekur.

Në Lladovë të Gjilanit, më 14 gusht një grua e ka goditur me veturë një këmbësor, i cili pas një dite ka ndërruar jetë.

Ndërkaq në Komoran pas një aksidenti zingjiror mes gjashtë veturave, një grua ka vdekur e 8 persona janë lënduar.

Një person është arrestuar më 1 gusht në Prishtinë pasi e ka goditur me veturë një motoçiketë, shoferi i së cilës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. /express