
Digjet një veturë në Zveçan
Një veturë është përfshirë nga zjarri sot pak pas mesnate në Zveçan.
Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa dyshimet janë se vetura është përfshirë nga flakët si pasojë e instalimit të rrymës, transmeton Zeri.info.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin përmes një njoftimi.
Njoftimi i plotë nga Policia:
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Mitrovicë Veri, informon opinionin publik se më 22.08.2028 rreth orës 01:00 në Zveçan është raportuar për djegien e një veture.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore, si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Po ashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekspertët e zjarrit. Sipas dëshmive dhe të dhënave fillestare, dyshohet se vetura është përfshirë nga zjarri si pasojë e instalimit të rrymës.
Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të shkaqeve.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për informimin e drejtë dhe me kohë të qytetarëve dhe mediave.