
Aktakuzë për shantazh ndaj dy personave në Gjakovë, i kërkuan 5000 euro viktimës
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet A.T. dhe V.H., të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shantazhi” në bashkëkryerje.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit të koordinuar paraprakisht në mes vete, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanosin personin tjetër – këtu të dëmtuarën B.H., se do të zbulojë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj.
Në aktakuzë thuhet se e pandehura V.H. i kishte telefonuar të dëmtuarës një javë para datës kritike, duke i thënë: “Unë kam fakte që ti ke kaluar me 2 – 3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro këto prova do t’ia dërgoj burrit tënd.”
Më tej, ditën kritike, ajo e kishte telefonuar sërish duke i thënë: “A vendose për pare”, ndërsa e dëmtuara, për të kuptuar më shumë rreth ngjarjes, i është përgjigjur: “Po ku done me ti pru paret a qysh”.
Sipas aktakuzës, e pandehura e udhëzon se ‘vjen i bjen në qendrën tregtare V. në katin e tretë, lej dikund në tesha, më trego ku janë dhe shkoj i marr’, ndërkohë që mban komunikim të vazhdueshëm me të pandehurin tjetër A.T., duke e informuar për veprimet.
“Jam duke shkuar në qendrën tregtare V. sepse ajo është duke mi pru paret,” ndërsa A.T. i përgjigjet “në rregull, edhe unë po nisna.”
Prokuroria sqaron se pasi e dëmtuara i vendos paratë në një palë pantolla të zeza të vendosura në një dyqan në katin e tretë të qendrës tregtare, e pandehura V.H. shkon në vendin e ngjarjes së bashku me vajzën e saj në moshë 9-vjeçare. Ajo e merr zarfin me para dhe tenton të largohet, por “pasi zbret në katin e dytë vëren një zyrtar policor dhe tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë”.
Në vendin e ngjarjes ndalohet nga policia, ndërsa pas pak çastesh arrestohet edhe i pandehuri A.T., i cili kishte ardhur për t’u takuar ashtu siç ishin dakorduar më parë.
Të dy të pandehurit akuzohen për veprën penale “Shantazhi” nga neni 329 par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.