
Aktakuzë kundër katër personave për grabitje në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve L.B., L.M. F.M. dhe Sh.Gj, për shkak të veprës penale “Grabitja” dhe kundër të pandehurit L.M. për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me datën 21.05.2025, rreth orës 23:35min në Pejë, duke vepruar si anëtar të grupit, me armë dhe me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze, grabisin pompën e derivateve DHF në Pejë, ashtu që të njëjtit fillimisht sigurojnë një armë të gjatë, pastaj me veturën e njërit prej të pandehurve, shkojnë në vendin e ngjarjes, i vendosin maskat në kokë, dalin nga vetura me armë, futen brenda në marketin e pompës dhe nën kërcënimin e armës dhe kanosjes serioze, punëtorit të kësaj kompanie i marrin shumën prej 905€, pastaj kthehen në veturë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa parat i ndajnë përgjysmë.
“Prokurori i rastit në aktakuzë, përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe konfiskimin e veturës Golf II, konfiskimin e parave të gjetura tek të pandehurit në shumën prej 575€, konfiskimin e armës dhe lëshimin e urdhrit për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar të dëmtuarit si rezultat i veprës penale”, thuhet në njoftim. /Zëri