
Përfundon seanca ndaj të dyshuarit për krime lufte Sinisha Spasiqit, pritet vendimi i Gjykatës
Përfundoi seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj të dyshuarit Sinisha Spasiq, i arrestuar të dielën në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Seanca u zhvillua për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të bëhet i ditur brenda afateve ligjore.
Sipas njoftimeve nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ai dyshohet për përfshirje në krime të kryera më 6 prill 1999 në komunën e Vushtrrisë, në rajonin e Mitrovicës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Spasiqi ka shërbyer si rezervist aktiv në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).
Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Sipas Prokurorisë, ai ishte i përfshirë në një kallëzim penal të dorëzuar më 22 qershor 2022, që lidhet me masakrat ndaj shqiptarëve në zonën e Vushtrrisë.