KMDLNJ-ja ngre shqetësim për rastet e shpeshta të vetëvrasjeve në Kosovë

KMDLNJ-ja ngre shqetësim për rastet e shpeshta të vetëvrasjeve në Kosovë

Kronika August 19, 2025 - 12:34

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut [KMDLNJ] ka shprehur shqetësim në lidhje me rastet e shpeshta të raportuara si vetëvrasje.

Për KMDLNJ-në rritja e këtyre rasteve paraqet shqetësim serioz, duke theksuar se të gjithë po merremi me pasojat, askush me masa parandaluese.

“Askush deri më sot në Kosovë nuk ka bërë një hulumtim serioz dhe profesional për shkaqet që ndikojnë në rritjen e këtij fenomeni pas së cilave do të ndërtohej një strategji parandaluese. Kosova , si vend që ka dalë nga lufta është dashur seriozisht të merrej me këtë çështje në mënyrë që të shkurtohet afati postraumatik, dukuri kjo thuaja normale pas përfundimit të luftës në vendet ku ka pasur luftë”.

Çuditërisht, më shumë ka raste të vetëvrasjeve 26 vjet pas përfundimit të luftës se në periudhën pasi lufta ka marrë fund”, thotë KMDLNJ-ja, transmeton Zeri.info.

Sipas KMDLNJ-së , situata e rënduar ekonomike, rritja e papunësisë, mungesa e trajtimit të rasteve të identifikuara me prirje për vetëvrasje , mungesa e solidaritetit të shoqërisë, mungesa apo pamjaftueshmëria e institucioneve të shtetit për të ndihmuar këto raste, humbja e shpresës, kostot e papërballueshme për bizneset dhe presioni i vazhdueshëm për rrezikshmëri nga lufta janë shkaktarët kryesorë për rritjen e numrit të vetëvrasjeve.

“Kjo dukuri është në rritje te grupet e margjinalizuara që janë lënë anash nga shteti si pensionistët dhe veteranët e luftës kurse një numër më i vogël shkon te biznesmenët që nuk kanë përkrahje apo mbrojtje të ligjit”

“KMDLNJ-ja shpreh shqetësim të thellë që kjo dukuri nuk po trajtohet seriozisht nga institucionet që kanë mandat ligjor mbrojtjen e të drejtave të njeriut aq më parë që po rrezikohet seriozisht e drejta kryesore e njeriut mbi të cilën ndërtohen të gjitha të drejtat tjera , e drejta për jetë , e garantuar me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Në fund thuhet se me pamundësinë, objektive apo subjektive të shtetit për të siguruar mbrojtje dhe trajtim shëndetësor të qytetarëve, shteti, pa një bazë ligjore po e zbaton eutanazinë ose vdekjen e asistuar. /Zëri