
Viktimat e aksidentit të mbrëmshëm në Llapushnik ishin çift, djali i tyre në gjendje të rëndë
Një çift nga Llapushniku i Drenasit ka humbur jetën pas një aksidenti që ndodhi jo shumë larg shtëpisë së tyre.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Gashi, pas humbjes së dy anëtarëve të familjes së tyre.
Viktima të këtij aksidenti janë Shemsi dhe Ajshe Gashi, ndërsa djali i tyre Fatlumi është në gjendje të rëndë, transmeton Zeri.info.
“Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për tragjedinë e ndodhur mbrëmë në Llapushnik, ku humbën jetën bashkëshortët Shemsi dhe Ajshe Gashi, ndërsa është lënduar djali i tyre, Fatlumi”.
“Kryetari Lladrovci i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, duke u dëshiruar forcë dhe durim në përballimin e kësaj dhimbjeje të madhe. Po ashtu, të lënduarit Fatlum Gashit i ka uruar shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Ndërkohë Policia në raportin 24-orësh ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin.
“Ka ndodhur aksident në trafik, në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura udhëtarësh njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja, me drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar dy viktimat dhe një ka pësuar lëndime. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i lënduari është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë. /Zëri