
Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për të dyshuarin për krime lufte në Vushtrri
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit S.S., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, S.S. dyshohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervsit aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në komunën e Vushtrrisë.
Ndër të tjera, S.S. dyshohet se më 06.04.1999 në bashkëkryerje, gjatë një aksioni ka plaçkitur, djegur shtëpi, si dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur.
Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, duke përfshirë edhe dëshmi të dëshmitarëve.
Prokuroria siguron qytetarët se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës.