
Nxiti urrejtje ndëretnike në një festë në Shtërpcë, aktakuzë ndaj të pandehurit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.C. për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, për shkak të veprimeve të tij në një ngjarje publike me karakter fetar në komunën e Shtërpcës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 10 qershor 2025 dhe ka pasur ndikim negativ në marrëdhëniet ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Kosovë.
“I pandehuri S.C. akuzohet se në Komunën e Shtëprcës, më 10.06.25, me dashje ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Republikën e Kosovës, përmes veprimeve publike të tij në një festë me karakter fetar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thekson se veprimet e të pandehurit kanë ndikuar në rendin dhe sigurinë publike në vend.
“Me këto veprime, sipas aktakuzës, S.C. ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke kontribuuar në prishjen e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që pas shqyrtimit gjyqësor i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.