Vrasja e 14-vjeçarit, reagon familja e Martin Canit: Mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje

Vrasja e 14-vjeçarit, reagon familja e Martin Canit: Mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje

Kronika August 17, 2025 - 13:15

Pas vrasjes së një tjetër 14-vjeçari dy ditë më parë ën Maliq ka reaguar familja e Martin Canit, 14-vjeçari i cili u vra me thikë po nga një bashkëmoshatar te shkolla “Fan Noli” në kryeqytet.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, prindërit e Martin Canit shprehen se kjo tragjedi tregoi që mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik.

“Me gjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?”, thuhet në deklaratën e prindërve të Martinit.

Ata kërkojnë nga qeveria masa konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla për të parandaluar tragjedi të tilla. Sipas tyre 14-vjeçarë nuk u vranë nga rrjetet sociale por nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve.

“Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh. Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet”.

Ata i shprehin ngushëllimet familjes së të miturit në Maliq dhe apelojnë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj”./a2cnn