Për 24 orë, tre të vdekur nga aksidentet në trafik

Për 24 orë, tre të vdekur nga aksidentet në trafik

Kronika August 16, 2025 - 08:53

Tre persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafik gjatë 24 orëve në rrugët e Kosovës.

Aksidentet kanë ndodhur në Gjilan, Pejë dhe Malishevë, transmeton Zeri.info.

Në fshatin Lladovë të Gjilanit, është raportuar se e dyshuara femër kosovare gjersa ka qenë duke drejtuar veturën e saj, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar.

“Me datë 15.08.2025 është raportuar se viktima i cili ka qenë në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti i dytë ka ndodhur në Pejë, ku një person me aftësi të kufizuar është goditur nga një kamion.

“I dyshuari mashkull kosovar, gjersa ka qenë duke drejtuar kamionin dyshohet që nga pakujdesia ka goditur një karrocë për persona me aftësi të kufizuara të cilën e drejtonte viktima mashkull kosovar. Si pasojë e lëndimeve të marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa trupi i pajetë në IML për autopsi”, thuhet për rastin në Pejë.

Ndërkohë në Malishevë, të premten dy vetura me targa lokale janë përfshirë në aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar një mashkull dhe gjashtë femra.

Nga lëndimet e marruar njëra nga viktimat femër kosovare ka ndërruar jetë.

“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, thuhet në raportin e Policisë. /Zëri