Policia me aksion në Prizren: Identifikohen pesë persona që kërkonin lëmoshë
Foto: Laura Hasani

Policia me aksion në Prizren: Identifikohen pesë persona që kërkonin lëmoshë

Kronika August 15, 2025 - 16:33

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten, në orët e mëngjesit, zyrtarët policorë në Prizren kanë zbatuar planin operativ “Lëmosh-Kërkuesit”, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe respektimit të dispozitave ligjore në fuqi.

Sipas njoftimit për media, gjatë këtij aksioni janë identifikuar pesë persona që kërkonin lëmoshë në hapësira publike.

“Katër prej tyre janë sanksionuar me tiketa për kundërvajtje, në bazë të Ligjit për Prishjen e Rendit dhe Qetësisë Publike (PRQP)”, thuhet në njoftim.

“Një person nuk posedonte dokument identifikimi, dhe për këtë rast është njoftuar pika kufitare në Vërmicë. Rasti është trajtuar nga njësiti i Vijës së Gjelbër, i cili ka marrë në dorëzim personin për procedura të mëtejshme”.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët.