Arrestohen tetë persona për vrasjen e 14-vjeçarit në Maliq, Policia tregon rolin e tyre

Arrestohen tetë persona për vrasjen e 14-vjeçarit në Maliq, Policia tregon rolin e tyre

Kronika August 15, 2025 - 10:59

Policia e Korçës ka zbardhur dinamikën e vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Erald Xhejo në një lokal në fshatin Pirg, në Maliq, ndërsa ka arrestuar tetë persona në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Në pranga kanë rënë autori i dyshuar i ngjarjes, babai dhe xhaxhai i tij, një 34-vjeçar, si dhe katër të mitur, ndërsa në njoftimin e Policisë tregohet roli i tyre në ngjarje, si dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.

Më poshtë lista me personat e arrestuar dhe akuzat ndaj tyre:

“E.G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot si autori i dyshuar i vrasjes së 14-vjeçarit E.XH. Pas kryerjes së krimit ai tentoi të largohej nga vendngjarja me automjet, ndërsa akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Edison Guri, babai i autorit të dyshuar, dhe Roland Guri, xhaxhai i tij, të akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi dyshohet se fshehën mjetin prerës (thikën) me të cilin u krye krimi.

Flori Çela i akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe dyshohet se ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes me të njëjtin automjet ku ndodhej edhe 14-vjeçari E.G.

Gjithashtu janë arrestuar dhe katër të mitur, banues në fshatin Zvirinë të cilët akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve dhe dyshohet se nëpërmjet deklarimeve në polici, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mjeti prerës (thikë), pesë celularë dhe automjeti, me të cilin tentuan të largoheshin autori i dyshuar i ngjarjes me 34-vjeçarin Flori Çela.

Ngjarja ndodhi pas një sherri për motive të dobëta, ndërsa edhe vetë autori i dyshuar, 14-vjeçar, mbeti i lënduar nga mjeti prerës gjatë konfliktit.

Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit ditën e djeshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.