
Arrestohen tre persona dhe konfiskohen sasi armësh dhe municioni në Klinë dhe Prishtinë
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë e mbështetur edhe nga njësitë tjera policore, sot ka realizuar urdhëresën e gjykatës kompetente, ku janë kontrolluar tri lokacione në Klinë dhe një lokacion në Prishtinë.
Lidhur me rastin në polici janë shoqëruar tre persona të dyshuar, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.
“Gjatë kontrollit të realizuar si dëshmi materiale janë sekuestruar:
1. Një armë e gjatë snajper,
2. Dy karikatorë me 40 fishekë të armës,
3. Një pistoletë me një karikator dhe 8 fishekë,
4. Një pistoletë me dy karikatorë dhe 4 fishekë,
5. Një pistoletë me një karikator dhe 14 fishekë,
6. Një pistoletë me një karikator dhe 52 fishekë,
7. Një pushkë ajrore me 5 fishekë,
8. 14 fishekë të pistoletës me gas,
9. Një pushkë gjuetie,
10. Një automatik AK-47 me dy karikatorë,
11. Tre telefona mobile,
12. Një thikë,
13. Një shpatë e arteve marciale,
14. Një antiplumb.
Disa nga dëshmitë janë me leje dhe janë sekuestruar me qëllim të verifikimit dhe procedurave të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje thuhet se, në konsultim me prokurorin kompetent është inicuar rast për veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, ndërsa njëri nga të dyshuarit pas intervistimit është ndaluar për 48 orë dhe dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt./Zëri