Dogana dhe Policia parandalojnë kontrabandim të mallrave nga Serbia

Dogana dhe Policia parandalojnë kontrabandim të mallrave nga Serbia

Kronika August 13, 2025 - 14:16

Policia e Kosovës dhe Dogana, kanë arritur të parandalojë futjen e mallrave të kontrabanduara në dy raste të ndara, në territorin e Republikës së Kosovës.

Në rastin e parë, sot në rrugën Pozhoran–Sllatinë–Viti, njësitë policore kufitare kanë ndaluar një automjet të dyshuar për transportim të mallrave të kontrabanduara. Automjeti dyshohet se kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.

Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur sasi malli për të cilin drejtuesi i automjetit nuk posedonte asnjë dokumentacion të rregullt doganor, si:

· 3,000 copë produkt mishi të përpunuar (200 pako × 15 copë) – prodhim i Serbisë

· 750 copë rrisk gjedhi (50 pako × 15 copë) – prodhim i Serbisë

· 15,840 pako çokollata (110 pako × 8 copë × 18) – prodhim i Serbisë

Ndërsa në rastin e dytë, në rrugën Viti–Gerlicë, nga njësitë policore kufitare është ndaluar një tjetër automjet i dyshuar, ku pas kontrollit të tij është zbuluar një sasi e konsiderueshme farash të bardha dhe të zeza, të ambalazhuara në thasë.

Si rezultat i veprimeve vijuese policore, tek depoja e personit të dyshuar është gjetur sasi shtesë e mallit, për të cilin i dyshuari nuk kishte dokumentacion të rregullt.

“Sipas vlerësimeve të tregut, vlera totale e mallrave të sekuestruar në të dy rastet tejkalon shumën mbi 20,000 €, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore vlerësohet mbi 5,000 €. I njëjti është sekuestruar nga Dogana e Kosovës për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri