11 armë zjarri të sekuestruara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë
Foto: Laura Hasani

11 armë zjarri të sekuestruara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Kronika August 13, 2025 - 10:50

Përdorimi i armëve është bërë shqetësues ditëve të fundit në Kosovë.

Policia e Kosovës, përmes raportit ditor, ka bërë të ditur se vetëm gjatë së martës janë sekuestruar gjithsej 11 armë e municione të ndryshme, shkruan Zeri.info.

Sipas këtyre të dhënave, më së shumti armë e municion janë sekuestruar në fshatin Gramaçel të Deçanit.

Atje policia ka arrestuar tre persona, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra prej të cilave shtetase e huaja.

Policia ka theksuar se në këtë fshat te këta persona ka sekuestruar dy pistoleta me leje, një pushkë, 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika dhe substancë të dyshuar të llojit marihuanë, raporton Zeri.info.

Në raportin ditor bëhet e ditur se tre të dyshuarit, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Më poshtë jua sjellim të gjitha rastet veç e veç:

Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve /Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm

· Lipjan 29.05.2025-08:30. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi muaj më parë kishte publikuar një video në rrjet social duke shtënë me armë zjarri. Pistoleta është sekuestruar dhe me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

· Gllogoc 12.08.2025-18:30. Raportohet se njësiti policor nga i dyshuari mashkull kosovar ka konfiskuar armën e zjarrit me një karikator me 27 fishekë, pasi gjatë ahengut familjar dyshohet se ka shtënë me të. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Kanosje/përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm

Plemetin, Obiliq, 12.08.2025-20:40. Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur të dyshuarin mashkull kosovar, i cili me vete kishte një armë zjarri. Nga i dyshuari arma e zjarrit me shtatë fishekë dhe dy gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Kanosje/ Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

Rr. “Gjergj Fishta”, Fushë-Kosovë, 12.08.2025-18:12. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi pas një mosmarrëveshjeje ka kanosur viktimën mashkull kosovar, duke ia drejtuar armën e zjarrit. Nga i dyshuari është konfiskuar arma e zjarrit me një karikator me 9 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

Fsh. Gramaçel, Deçan, 12.08.2025-09:30. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar; një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë, një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar te Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

· Fsh. Xërxë, Rahovec, 12.08.2025-01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri. Pistoleta me një karikator me pesë fishekë dhe pesë gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

· Fsh. Polluzhë, Rahovec, 11.08.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Pistoleta me një karikator është sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Kanosje/ Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës

Fsh. Abri e Poshtme, Skenderaj, 12.08.2025-19:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar, pasi , kishte ekspozuar një armë të zjarrit. Nga i dyshuari është sekuestruar një revole. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje. /Zëri