
Vrasja e trefishtë në Gjilan, Policia: Po punohet intensivisht për kapjen e të dyshuarve
Vrasja e trefishtë, e cila ndodhi të dielën në Gjilan, e ka tronditur Kosovën.
Ngjarja tragjike ngjalli reagim të ashpër në opinionin publik, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Aktualisht tre të dyshuarit, Mefail Shkodra bashkë edhe me dy djemtë e tij Edonisin dhe Engjullin, po vazhdojnë të jenë në arrati.
E organet e rendit deklaruan se po punojnë pa ndërprerë për kapjen e tyre.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit Ismet Hashani, deklaroi se janë zhvilluar edhe bastisje të shumta.
“Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mund të strehohen të dyshuarit. Po punohet intensivisht në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve”, deklaroi Hashani për Klankosova.tv.
Ai theksoi se po ashtu janë njoftuar edhe të gjitha pikat kufitare dhe janë pajisur me fotot e të dyshuarve që nga momenti i parë kur është raportuar rasti.
“Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave, duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës kudo qoftë në stacionin më të afërt”, theksoi ai.