
Profesori i kriminalistikës: Pesë të vrarë në pak ditë, alarm për mobilizim të institucioneve
Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, tha se pesë vrasjet e ndodhura brenda dy-tre ditëve të fundit në Kosovë përbëjnë një shqetësim serioz dhe janë një alarm për mobilizimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Ai në intervistë për Ekonominë Online tha se çdo humbje jete është e madhe dhe e parandalueshme.
“Çdo humbje e jetës së një njeriu është humbje e madhe. Është e pakuptimtë që të vriten njerëzit mes veti për motive të ulëta, siç ishte rasti i Prizrenit, që nga një përleshje e qenve ka acaruar, degjeneruar raporti deri te vrasja. Apo te rasti i vrasjes së trefishtë në Gjilan që është tmerr, dukuri e rëndë, sepse dukuria e fajdesë është prezente në shumë vende të Kosovës dhe si e tillë është koha e fundit që institucionet t’i thonë stop atyre që për motive pasurore kryejnë këtë veprimtari kriminale të dënuar me ligj”, tha ai.
Megjithatë, Çollaku tha se bazuar në statistikat zyrtare, Kosova ende qëndron më mirë se shumica e vendeve të rajonit për nga numri i vrasjeve.
“Janë shqetësuese këto të dhëna për numrin e madh të vrasjeve brenda dy-tri ditëve. Megjithatë, unë i referohem statistikave zyrtare si tregues se si qëndron Kosova me dukurinë e vrasjeve. Nga janari deri tani kishim një numër shumë të vogël të vrasjeve, diku shtatë sipas të dhënave zyrtare, tani vetëm në muajin gusht pesë vrasje. Megjithatë, jemi ende në atë nivelin e kënaqshëm sa i përket statistikave, që do të thotë që Kosova në aspektin e sigurisë së brendshme dhe prezencës së dukurive negative nuk qëndron keq në raport me vendet e rajonit”, tha Çollaku.
Por, këto ngjarje, sipas tij, duhet të shihen si një sinjal i qartë për veprim të koordinuar.
“Ky është tregues dhe alarmi i fundit që të mobilizohen institucionet, policia, prokuroria, gjykata të kryejnë të gjitha punën e vet si duhet dhe kësisoj të reduktohet, nëse jo të zhduket, sepse është e pamundur të zhduket, të reduktohet kjo kategori e veprave penale”, tha profesori Çollaku.
Duke komentuar rastin në Gjilan, ai tha se në aspektin procedural-penal, veprimet e deritanishme kanë qenë në përputhje me ligjin.
“Në aspektin procedural-penal, gjërat janë të qarta sipas ligjit në fuqi. Nga raportimet rezulton se me pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, gjithçka sipas ligjit, është lënë një dorëzani e madhe në vlerë shumë të madhe dhe ata kanë ndërprerë paraburgimin në atë kohë dhe janë lënë në liri që të zhvillohen procedurat. Asgjë nuk është vepruar joligjore”, tha ai.
Megjithatë, Çollaku nënvizoi se rastet e përsëritjes nga persona me precedent penal duhet të trajtohen me kujdes më të madh.
“Te recidivizmi, te rastet e rënda si te personat e dyshuar, pra babai i këtyre fëmijëve që është i dyshuar kryesor me numër shumë të madh të veprave penale, atëherë ndoshta do të duhej që të ketë një qasje më rigoroze organet edhe të drejtësisë edhe këto të hetuesisë, që të mos ja lejojnë rastit fare. Është një parim që vendimet gjyqësore nuk mund të komentohen në kuptimin që gjykata është e fundit, në rastin konkret jemi duke folur për procedura që nuk kanë arritur ende në gjykatë, sepse bëhet fjalë për fazën paraprake ku ata janë lënë të lirë në bazë të dorëzanisë e si e tillë dorëzania njihet me ligj si një nga mënyrat për të pasur personin të qasshëm në procedurë penale”, tha për Ekonominë Online Çollaku.
