Arrestohet një i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në Lipjan
Një person është arrestuar gjatë ditës së sotme, pasi dyshohet se ka lidhje me vrasjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.
Lajmin e ka konfirmuar për Zeri.info zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Si rrjedhojë e angazhimeve intensive hetimore, sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme – Prishtinë është arrestuar një person i dyshuar T. K, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për rastin vrasje që ka ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit. Aktualisht hetuesit po kryejnë procedurat e nevojshme policore, në koordinim me prokurorinë”, ka treguar Ahmeti për “Zërin”.
Enver Bajraktari ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët më 4 gusht të këtij viti, përderisa një ditë më vonë, më 5 gusht është gjetur i groposur në një arë. Motivet e vrasjes së tij mbeten ende të paqarta deri më tani. /Zëri