
Policia në Prizren sekuestron drogë në vlerë 300 mijë euro, arrestohet një person
Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë ndërmarrë veprime operative të suksesshme që kanë rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhur me substanca narkotike.
Në një aksion të Policisë dhe Prokurorisë në Prizrenë, është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhur me substanca narkotike.
“Më datë 11 gusht 2025, në rrugën ‘Viljam Voker’ në Prizren, është arrestuar i dyshuari me iniciale H.K. (1994) shtetas i Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale:
- Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gramë;
- Dy (2) peshore elektronike;
- Të holla (para) në vlerë prej 260 eurove;
- Një (1) pajisje për vakuum të qeseve plastike;
- Një (1) motoçikletë Piaggio Vespa;
- Një (1) telefon mobil iPhone 15 Pro Max;
- Një (1) skalper;
- Sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në 300.000 euro.
I dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.
“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së Antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo informacion të dyshimtë tek organet e rendit”, thotë Policia. /Zëri