
Vrasja në Hajvali dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri në komunikacion
Një person është gjetur i vdekur në një makinë me targa londineze në Hajvali, në një ngjarje të rëndë që ka tronditur komunitetin lokal.
Sipas dëshmive të banorëve dhe raportimeve nga terreni për televizionin Tëvë1, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti në trafik, ndërsa personi i dyshuar për vrasjen është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se viktima kishte plagë nga arma e zjarrit dhe ka mbërritur në spital pa shenja jete.
“Në QKUK ka ardhur i vdekur me plagë nga arma e zjarrit,” tha Syla, duke shtuar se nuk ka pasur shpresa për jetën e tij.
Vrasja në Hajvali dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri në komunikacion
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, bëri me dije se rreth orës 22:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në Hajvali dhe se viktima, një mashkull, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes para se të dërgohej në spital. “Hetimet vazhdojnë dhe jemi në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar,” tha Ahmeti.
Sipas dëshmive të banorëve, i dyshuari për vrasjen ka lënë makinën në vendin e ngjarjes dhe është larguar në këmbë.
Policia vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe arrestimin e të dyshuarit. Banorët janë të shqetësuar dhe kërkojnë siguri më të madhe në zonë, ndërsa ngjarja mbetet nën vëzhgimin e institucioneve përgjegjëse.