Policia arrestoi tre persona të dyshuar për vrasjen e djeshme në Tetovë

Policia arrestoi tre persona të dyshuar për vrasjen e djeshme në Tetovë

Kronika August 11, 2025 - 18:44

Policia arrestoi tre persona të dyshuar për vrasjen e djeshme në Tetovë, ku i vdekur mbeti një 46-vjeçar dhe katër të tjerë u plagosën. Arrestimi ka ardhur pas bastisjes në shtëpitë e tyre familjare në fshatin Gajre.

“Lidhur me shkëmbimin e zjarrit të djeshëm me armë në Tetovë, ju njoftojmë se tre persona janë privuar nga liria. Gjatë kontrollit dhe bastisjeve në disa lokacione në fshatin Gajre të Tetovës, janë gjetur objekte me interes për hetimin. Po ndërmerren masa dhe aktivitete për sqarimin e plotë të rastit dhe gjetjen e objekteve dhe personave të tjerë që kanë qenë të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit”, thonë nga SPB Tetovë.

Alsat mëson se të arrestuarit janë dy vëllezër të lindur në vitet 2006 dhe 2010. E arrestuar është edhe nëna e tyre. Alsat jo zyrtarisht mëson se në pyetje është marrë edhe ish pronarja e veturës nga ku është shtënë me armë zjarri, targat e së cilës kishin qenë të çlajmëruara. Nga Prokuroria gjithashtu na njoftuan se po mbledhin provat e nevojshme për të zbardhur motivet e të gjithë të përfshirëve në këtë incident.

Nga Klinika e Traumatologjisë njoftojnë se nga Tetova janë sjellë katër pacientë ndërsa tek tre prej tyre është kryer intervenim kirurgjik. Njëri prej të lënduarve që ishte në rrezik jete tani është në gjendje stabile dhe është transferuar në repartin e kirurgjisë torakale. Edhe i plagosuri tjetër gjithashtu është në gjendje stabile. Sa i përket vajzës së mitur 13 vjeçare gjithashtu është operuar në kirurgjinë e fëmijëve dhe tani është në gjendje stabile. Me lëndime ka përfunduar edhe një kalimtar rasti, dhe tek ai gjithashtu është realizuar operacion dhe tani ndodhet në repartin e traumatologjisë.

Incidenti ndodhi dje në mesditë në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”. Dëshmitarët thanë se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi. Jo zyrtarisht, bëhet fjalë për rast hasmërie mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje tjetër nga fshati Gajre. Deri më tani, si pasojë e përplasjeve të armatosura ka pasur disa viktima nga të dyja familjet.