![Dy të vrarë dhe dy të palosur në Gjilan, i dyshuari në arrati [video]](/uploads/zeri.info/images/2025/August/10/auto_Screenshot_6-81754829133.png)
Dy të vrarë dhe dy të palosur në Gjilan, i dyshuari në arrati [video]
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës në qendër të qytetit të Gjilanit. Sipas Policisë, rreth orës 12:30, në rrugën “Ibrahim Rugova”, dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur pas një të shtëne me armë zjarri.
Ngjarja dyshohet të jetë kryer nga një person mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për Policinë e Kosovës, i cili për momentin ndodhet në arrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se autoritetet janë vënë në kërkim të të dyshuarit.
“Sot, më 10.08.2025, rreth orës 12:32, dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjilan. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan për trajtim mjekësor”, tha Hashani.
Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve rajonale, njësiti i krimeve të rënda dhe prokurori i shtetit, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, po zhvillon hetime intensive për të ndriçuar motivet dhe detajet e kësaj ngjarjeje të rëndë,” tha më tej Hashani.
Mediat lokale kanë publikuar disa pamje, të cilat ju paralajmërojmë se janë të rënda, ku njëri nga të plagosurit shihet i shtrirë në tokë. /Zëri