
Popoviqi pranon të dënohet me 6 muaj burgim - ose 3 mijë euro gjobë dhe dëbim dyvjeçar nga Kosova
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, sot (8 gusht) është mbajtur seanca dëgjimore ndaj Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ku është aprovuar marrëveshja për pranim të fajësisë, e arritur mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Popoviqi është sjellë i prangosur në Gjykatë dhe është paraqitur para gjyqtarit Kujtim Krasniqi dhe prokurores speciale Fikrije Zejnullahu. Me marrëveshjen e aprovuar, propozohet dënimi prej 6 muajsh burgim, i cili zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë, si dhe dënimi plotësues – dëbim nga territori i Republikës së Kosovës për një periudhë prej 2 vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht prokurorja tha se marrëveshja është lidhur në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, se i akuzuari është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tij dhe se kjo marrëveshje i përmbush të gjitha kriteret për t’u aprovuar nga Gjykata.
Edhe tani vazhdoi avokati Millosh Deleviq, i cili tha se qëndron pranë marrëveshjes së arritur dhe se janë plotësuar kushtet sipas dispozitave ligjore.
Ai ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut. Ndaj tij, PSRK-ja më 5 gusht kishte ngritur aktakuzë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, për një fjalim kundër UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas PSRK-së, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, Popoviqi me dashje dhe qëllim kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.