Igor Popoviq sot para gjykatës për marrëveshjen e pranimit të fajësisë

Igor Popoviq sot para gjykatës për marrëveshjen e pranimit të fajësisë

Kronika August 08, 2025 - 08:50

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të mbajë sot në orën 10:00 një seancë dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet Igor Popoviqit dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Popoviqi, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, ndërsa Prokuroria Speciale ka dorëzuar marrëveshjen në gjykatë për miratim.

Trupi gjykues do të shqyrtojë marrëveshjen gjatë seancës së sotme dhe do të vendosë nëse ajo do të miratohet ose refuzohet, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Igor Popoviq u arrestua muajin e kaluar nga Policia e Kosovës, pas një fjalimi të mbajtur më 18 korrik 2025, në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku dyshohet se ka përdorur gjuhë nxitëse ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Popoviqi, në një tubim publik rreth orës 12:00, ka mbajtur një fjalim me përmbajtje që nxit urrejtje dhe përçarje ndëretnike.