
Kërkohet paraburgim ndaj fajdexhiut në Prizren, që u kap në flagrancë
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj A.B., i cili u arrestua dje në flagrancë për veprën penale “Fajdeja”.
Sipas kërkesës nga organi i akuzës, nga viti 2019 e në vazhdimësi deri më 06.08.2025 në Prizren dhe në fshatin Bllacë – Komuna e Suharekës, i pandehuri A.B., me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, varfërinë, papërvojën e të dëmtuarit B.L., pranon shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit-dhënies së borxhit, në atë mënyrë që i dëmtuari duke qenë në gjendje të vështirë ekonomike, në vitin 2019 e thërret në telefon të pandehurin ku nga ai kërkon dhe merr 100 euro borxh me premtim që do t’ia kthej të pandehurit. Në muajin tetor të vitit 2019 i pandehuri e thërret përsëri të dëmtuarin në telefon, e fyen dhe kërcënon dhe i bënë presion duke i kërkuar paratë dhe atë në shumën prej 1500 eurove. Gjatë vitit 2019 i dëmtuari ia jep të pandehurit shumën prej 1850 eurove.
“Në muajin mars të vitit 2020 i pandehuri shkon në fshatin e dëmtuarit ku ia merr shumën prej 800 euro, ku i thotë të dëmtuarit se nuk ia ka paguar gjithë shumën e parave. Në vitin 2020, derisa i dëmtuari kishte rast vdekje, në orët e vona të natës, i pandehuri e thërret të dëmtuarin në telefon duke i thënë i ke 8000 euro borxh, ashtu që i dëmtuari nga frika nga viti 2020 deri në vitin 2023 të pandehurit ia paguan shumën prej 8000 eurove”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje në njoftim, thuhet se me datë 06 janar të vitit 2024, rreth orës 20:00 min i pandehuri e thërret të dëmtuarin në telefon duke i thënë se edhe 8000 euro ia ka borxh atij, po ashtu më datë 13 janar 2024 derisa i dëmtuari kishte qenë në Gjermani, i pandehuri së bashku me dy shokë të tij shkojnë tek prindi i të dëmtuarit duke i thënë se djali i tij i ka borxh, pastaj i pandehuri e thërret përsëri në telefon të dëmtuarin duke i thënë se deri më 25 gusht 2025 e ke afatin e fundit për t’ia dorëzuar paratë, e që më datë 06.08.2025 i pandehuri takohet me të dëmtuarin, ku me rastin e zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri arrestohet në flagrancë nga policia në momentin pasi pranon shumën prej 5000 eurove në emër të kamatës nga i dëmtuari, me ç’rast të dëmtuarit B.L. i ka shkaktuar dëm material. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja”, sipas KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”.