
Një muaj paraburgim për kolonelin e Policisë, Nexhmi Krasniqi
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të arrestuarve në rastin e dyshimeve për detyrim, armëmbajtje pa leje dhe shmangie tatimi.
Ndër të arrestuarit është edhe ish-drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, aktualisht drejtor rajonal i kufirit perëndimor, që përfshin rajonet e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit.
“I dëmtuari nga frika dhe presioni, dhe me miratimin e dëshmitarit E. E., si pronar i pjesës të kësaj ngastre, vendosin të tërhiqen në dobi të R.P., i cili më pas e blen këtë parcelë nën çmimin e tregut për 250.000 euro, e cila pronë realisht kishte vlerën prej 400.000 eurosh deri në 500.0000 euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Kjo masë thuhet se u mor për të siguruar rrjedhën e papenguar të hetimeve dhe për të parandaluar presionin mbi dëshmitarët apo manipulimin e provave.
Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi dyshohen për tri vepra penale.
Sipas Prokurorisë, ata kanë detyruar me kanosje një person, të dëmtuarin E.M., të heqë dorë nga një pronë me vlerë të madhe, në favor të Ramadan Paçarizit, i cili e ka blerë pronën për një shumë më të ulët se çmimi i tregut.
“I dëmtuari së bashku me të pandehurin L.S. shkojnë në shtëpinë e të pandehurit N.K., ku i dëmtuari hyn në shtëpi dhe nga të hollat e marra prej R.P. ia jep të pandehurit N.K. shumën prej 10.000 eurosh të vendosura në zarf dhe me të dalë nga aty 20.000 euro të tjera ia jep L.S., në emër të tij dhe për vëllain e tij Xh.S.”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.