
Mashtroi me shitblerje të veturave, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës nga Prishtina
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarës me inicialet D.S.-A., nga komuna e Prishtinës, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Prokurorisë, e pandehura, me paraqitje të rreme të fakteve dhe me qëllim përfitimi personal, i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarit J.Sh.
Ajo fillimisht kishte parë për shitje një veturë të markës “VW Tiguan” në rrjetin social “Facebook” dhe kishte arritur marrëveshje për blerjen e saj në vlerë prej 35 mijë euro në një zyrë noteriale. Sipas marrëveshjes, ajo do të paguante 10 mijë euro deri më 31 korrik 2025 përmes transferit bankar, ndërsa 25 mijë euro të tjera deri më 10 shtator 2025.
Por, sipas njoftimit të Policisë, vetëm dy ditë më pas, më 30 korrik, e dyshuara e kontakton një pronar të një auto-salloni në Ferizaj dhe i ofron për shitje të njëjtën veturë për shumën prej 24 mijë eurosh. Me 1 gusht, ajo arrin marrëveshje noteriale dhe pranon 15 mijë euro në para të gatshme dhe 9 mijë euro përmes transferit bankar nga banka “BKT”.
Si rezultat i këtij veprimi, të dëmtuarit J.Sh. i është shkaktuar dëm material në vlerë të plotë prej 35 mijë eurosh.
Vetura në fjalë është sekuestruar nga Njësia e Hetimeve në Ferizaj, ndërsa e dyshuara ndodhet në ndalim 48 orësh që nga data 5 gusht 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka kërkuar paraburgim ndaj saj për veprën penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.